Ministri i Brendshëm Filip Axhiq dhe Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme Ilva Johansson nënshkruan sot në Bruksel Marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Mal të Zi (Frontex).
Axhiq shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e Marrëveshjes së re me Frontex, e cila kontribuon shumë në forcimin e bashkëpunimit midis Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian në fushën e menaxhimit të kufijve dhe arritjen e standardeve të pritura në rrugën drejt anëtarësimit të plotë.
Siç tha MPB-ja, Marrëveshja e re, ndër të tjera, parasheh dislokimin e oficerëve të Frontex-it dhe aplikimin e kompetencave ekzekutive në çdo pjesë të kufirit shtetëror të Malit të Zi, jo vetëm në kufirin me Bashkimin Evropian, siç është përcaktuar me marrëveshjen e mëparshme.
Gjithashtu është planifikuar që, përveç oficerëve të Administratës Policore të Malit të Zi, detyra të kontrollit të kufirit të kryejnë edhe anëtarë të ekipeve të Forcave të Përhershme të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare.
“Duke forcuar partneritetin, ne kontribuojmë në forcimin e bashkëpunimit operacional në fushën e luftimit të migracionit të parregullt dhe parandalimit të aktiviteteve kriminale”, tha ministri Axhiq.