SOT BESIMTARËT MYSLIMANË FESTOJNË FITËR BAJRAMIN

Në të gjitha xhamitë në Mal të Zi mëngjesin e sotëm në ora 06:30 është falur namazi i Bajramit, pra ardhja e njërës prej ditëve më të gëzuara në traditën myslimane, e cila shënon përfundimin e agjërimit dhe muajin e Ramazanit.

Me këtë rast, reisit të Bashkësisë Islame, Rifat Fejziq si dhe të gjithë besimtarëve myslimanë mesazhe urimi u kanë përcjellë presidenti, kryeparlamentarja dhe kryeministri i vendit, si dhe zyrtarë të tjerë.

“I uroj sinqerisht të gjithë besimtarëve të besimit islam që momentet e gëzuara të festave të Bajramit t’i kalojnë në harmoni familjare, dashuri, shëndet, gëzim dhe mirëqenie,” tha presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi Jakov Millatoviq.

Siç tha Millatoviq, Bajrami, një festë e madhe për të gjithë besimtarët e besimit islam, ishte një rast për të uruar personalisht kreun e Bashkësisë Islame në Mal të Zi Rifat Fejziq me mesazhin që këto ditë të shenjta që mbyllin muajin e shenjtë të agjërimit të forcojnë frymën e paqes, tolerancës, bashkësisë së vërtetë dhe bashkëjetesës fetare në vendin tonë.

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari dhe zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Ilir Harasani e kanë falur këtë namaz në prani të një numri të madh besimtarësh në xhaminë në Pinjesh.

“Me fat Bajrami! Dashuria, gëzimi dhe begatia mbizotërofshin mes njerëzve anembanë Malit të Zi, rajonit, Evropës dhe botës. Falenderimi i takon Allahut!”, porositi kryeministri.

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, përmes rrjetit social “Facebook” ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Bajramit.

“Gëzimi i festës së Fitër Bajramit vjen në perfundim të muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët muslimanë përveç agjërimit dëshmuan dashurinë, shpresën, solidaritetin dhe humanizmin. Fitër Bajrami është festa që i shpalos vlerat më të mira të besimtarëve, shijën e të cilit e shijuan të gjithë për rreth tyre. Prandaj, duke ju uruar besimtarëve muslimanë festën e fiter Bajramit shprehi dëshirën që aromat e saj t’i ndjejnë të gjithë banorët e Komunës së Tuzit,” thuhet në urimin e Gjeloshaj.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka uruar festën e Fitër Bajramit.

“Pas muajit të agjerimit dhe lutjes, në shenjë nderimi të sakrificës dhe forcimit të durimit dhe shpirtit, kjo festë e madhe dhe e gëzueshme ju dhuroftë përmbushjen e të gjitha lutjeve për paqe, dashuri dhe harmoni. Festat janë një mundësi që të gjithë ne t’i kujtojmë vetes se prej shekujsh bashkëjetojmë duke respektuar veçoritë fetare, kombëtare dhe të tjera, duke respektuar vlerat e përjetshme. Të tregojmë me vepra, jo vetëm fjalë, se jemi gati të sakrifikojmë, për hir të gëzimit dhe suksesit të përbashkët, për hir të arritjes së qëllimeve të larta, për të mirën tonë dhe të pasardhësve tanë. Në këtë emër, edhe një herë ju uroj festën e Fitër Bajramit,” shkruan në urimin e ministrit Dukaj.

SHARE