BE-ja E GATSHME TË PUNOJË ME PRESIDENTIN E RI TË MALIT TË ZI

Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri për të punuar me presidentin e ri të zgjedhur të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duke shprehur bindjen se ky shtet do të mbetet i përkushtuar për rrugën evropiane.

Në të njëjtën kohë, Brukseli ka bërë ftesë për stabilitet politik në mënyrë që të përshpejtohet procesi i reformave dhe të arrihet përparim në negociatat e anëtarësimit.

Kështu tha sot në Bruksel zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kur u pyet për rezultatin e zgjedhjeve në Podgoricë.

“Në përgjithësi presim të bashkëpunojmë me presidentin e ri dhe me të gjithë partnerët politik në Podgoricë për t’i ndihmuar Malit të Zi të mbetet fuqishëm në rrugën e integrimeve evropiane, të cilat nevojiten që ai vend të përparojë”, tha Stano.

Në një konferencë të rregullt për shtyp në Bruksel, Stano tha se është shumë e rëndësishme që Mali i Zi të fokusohet në të gjitha problemet dhe çështjet e shtetit të së drejtës, reformat në fushën e sundimit të ligjit në mënyrën e përcaktuar nga Komisioni Europian.

“Sigurisht, BE-ja është e gatshme të mbështesë Malin e Zi dhe të vazhdojë të ndihmojë Malin e Zi të shkojë drejt anëtarësimit në BE, sepse kjo është diçka që shumica dërrmuese e njerëzve në Mal të Zi dëshiron. Dhe në këtë kontekst, stabiliteti politik në vend është çelësi për vazhdimin e udhëtim drejt Bashkimit”, tha Stano.

Piculla: Mbështetje për çdo nismë që do ta afrojë Malin e Zi me BE-në

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Piculla, ka uruar Jakov Millatoviq për zgjedhjen e tij si president i vendit.

“Çdo vendim dhe iniciativë që në praktikë do ta afrojë Malin e Zi me Bashkimin Evropian do të ketë mbështetjen e Parlamentit Evropian”, shkroi Piculla në Twitter.

SHARE