Fërgesë me Spinaq, Gjizë dhe Vezë

Kjo është një recetë fantastike për shijen ashtu si edhe për shëndetin.

Mjaftojnë produkte të thjeshta që jo vetëm ju ngopin e ju japin energji, por edhe e ushqejnë organizmin me vitaminat dhe mineralet për të cilat ka nevojë.

Një vakt të shëndetshëm ushqimi mund t’ia rezervoni fërgesës së thjeshtë që ju rekomandon AgroWeb.org

Fërgesa Me Spinaq, Vezë e Gjizë.

Fërgesa në fjalë është shumë e lehtë në përgatitje dhe shumë e shijshme, sidomos nëse shoqërohet me kos dhe bukë të thekur.

Kjo fërgesë mund të përgatitet ndërkohë që ju bëheni gati për të shkuar në punë dhe duhet të merrni energjinë, proteinat, fibrën e vitaminat.

Për përgatitjen e një racioni ju nevojiten:

Gjysëm tufe  spinaqi të larë.

1-2 vezë,

Një filxhan çaji me gjizë

Gjalpë ose vaj ulliri,

Piper dhe kripë.

Vendoseni tiganin e thellë në zjarr.

Sapo të jetë ngrohur, hidhni yndyrën e preferuar dhe më pas spinaqin.

Lëreni të kavërdiset me kapak të mbuluar për 1 minutë.

Më pas, hidhni gjizën dhe përziejeni mirë me spinaqin.

Sipas preferencës, vezët mund t’i shtoni direkt në tigan ose t’i rrihni në një pjatë veçmas.

Përziejini të gjithë bashkë me lugën e drurit, shtoni piperin dhe hiqeni tiganin nga zjarri.

Kjo pjatë është shumë e pasur me hekur që gjendet tek spinaqi por edhe me proteina që gjenden tek vezët.

Gjiza nga ana tjetër, është e pasur me proteina, kalçium dhe ushqyes të tjerë të shëndetshëm.

Ajo përmban pak kalori dhe të ngop më shpejt.

Ajo është e lehtë dhe nuk rëndon në stomak.

Gjiza është e pasur me baktere të mira për stomakun, të njëjtat që gjenden tek kosi.

Në këtë mënyrë, ajo është një ushqim i shkëlqyer për njerëzit që vuajnë nga problemet me tretjen.

Gjatë përgatitjes vezët mund t’i shtoni edhe në fund dhe t’i lini sy (pa i përzier) derisa të mpiksen plotësisht. /AgroWeb.org

SHARE