BORRELL: MIRËPRESIM DREJTIMIN STRATEGJIK TË SHQIPËRISË DREJT BASHKIMIT EVROPIAN

Në Tiranë është mbajtur takimi i 12-të i Këshillit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe BE-së, ndërkohë në fokus ishin diskutimet për disa çështje.

“Po punojmë së bashku për integrimin evropian të Shqipërisë në të gjitha linjat”

Borrell tha gjatë konferencës se shohin dhe mirëpresin drejtimin strategjik të qartë të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe shtoi se po punojnë së bashku për integrimin evropian të Shqipërisë në të gjitha linjat.

“Sot është një mundësi dhe ditë e veçantë sepse faktikisht është hera e parë në historinë e marrëdhënieve tona midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që ne e mbajmë këtë Këshill të Stabilizim Asociimit në Tiranë. Me këtë, ne duam të japim një sinjal të fuqishëm politik për angazhimin e Bashkimit Evropian ndaj rrugëtimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe e përdorim Këshillin e Stabilizim-Asociimit si ndërveprimin institucional më të rëndësishëm ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë”, tha Borrell.

Borrell shtoi se përmes këtyre takimeve marrin në konsideratë përparimin lidhur me përgatitjet për anëtarësimin në BE, dhe sipas tij mesazhi kryesor nga kjo mbledhje është angazhimi i patundur për integrimin evropian të Shqipërisë.

Duke folur për takimin e ardhshëm mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Borrell tha se shpreson që të shtunën të dyja palët të vijnë me një qasje konstruktive dhe me vullnetin për t’u angazhuar.

Rama: Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënieje strategjike

Kryeministri Rama në fjalën e tij në konferencë tha se atmosfera e kësaj mbledhjeje ishte jashtëzakonisht pozitive.

“Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënie strategjike. Shqipëria sot nuk është më në fund të trenit të integrimit, por është në krye, në këtë rajon ku roli ynë vlerësohet si model në aspektin e promovimit të paqes, të dialogut dhe normalizimit”, u shpreh Rama.

Rama foli edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimit të BE-së në këtë proces, ku theksoi se Bashkimi Evropian në bashkëpunim me SHBA-në i kanë ofruar Kosovës dhe Serbisë, rajonit, gjeneratave të tjera një rrugë të re, një portë të hapur të së ardhmes në paqe dhe sipas tij “një kohë tjetër të nevojshme për të arritur në përmbylljen përfundimtare të procesit të njohjes reciproke”.

Varhelyi: Ne duam që ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur

Komisioneri Varhelyi theksoi se Evropa është e përkushtuar për ta pasur Ballkanin Perëndimor si përparësinë e vet gjeopolitike.

“Për ne Ballkani është përparësi gjeopolitike. Kjo nënkupton se ne duam që ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

Duke folur për procesin e reformave dhe integrimit evropian të Shqipërisë, Varhelyi tha se viti i kaluar ka qenë një vit mjaft i suksesshëm për Shqipërinë. Ai tha se sipas metodologjisë së re të zgjerimit, BE-ja duhet të jetë e gatshme që të mbajë premtimet e veta, sipas tij, kur premtimet nga ana e vendit kandidat janë mbajtur.

Varhelyi theksoi se Ballkani Perëndimor mund të shndërrohet në pikën e re hyrëse të energjisë për Evropën.

SHARE