UJI MERR PËRPARA TENDA E NJERËZ, TJETËR FATKEQËSI NË TURQI: 15 VDEKJE NGA PËRMBYTJET

Ka mbërritur në 15 numri i viktimave nga përmbytjet që po shtojnë vuajtjet e banorëve në provincat e shkatërruara nga tërmetet në jug të Turqisë.

Vërshimi i ujërave pas reshjeve të rrëmbyera ka marrë përpara tenda e kontenierë në rajonet e Shanlıurfa dhe Adiyaman, ku mijëra vetë mbetën pa shtëpi pas lëkundjeve shkatërrimtare të tokës.

Ujërat i kanë marrë njerëzit me vete ndërsa rrugë u kthyen në lumenj të shfrenuar në zonat që ende nuk e kanë marrë veten nga tërmeti i magnitudës 7.8 i muajit të kaluar.

Më shumë se 48 mijë persona vdiqën në Turqi e gati 6.000 të tjerë në Sirinë pas katastrofës së 6 shkurtit.

Qindra mijëra të mbijetuarit e tërmeteve u zhvendosën nëpër tenda e kontinerë në të gjithë zonën e fatkeqësisë, që preku 11 provinca në juglindje të Turqisë.

Por reshjet e dendura të shiut kanë paralizuar edhe më shumë jetën e njerëzve atje, duke përmbytur rrugë e spitale, ndërsa autostrada mes lagjeve Hilvan dhe Bozova të Şanlıurfa-s thuhet të jetë shkatërruar tërësisht.

Zyrtarët vendas thonë se edhe këto përmbytje, të cilët erdhën rreth 40 ditë pas tërmeteve katastrofike të 6 shkurtit, janë më të rëndat e regjistruara këtu për të paktën 65 vitet e fundit. Në mesin e viktimave, është edhe një fëmijë 1 vjeç.

SHARE