Byreku me Luledele nuk është një recetë e zakonshme.
Ky është një gatim i veçantë, frut i kreativitetit të një prej shefave më të njohur të kuzhinës jo vetëm në Shqipëri, Alfred Marku, i cili e ka ndarë këtë recetë me AgroWeb.org dhe do të mund ta lexoni në vijim.
Byreku me Luledele është një nga gatimet më speciale në menunë e gatimeve unike e të shijshme pranë restorant ‘Rapsodia’ në Shëngjin, Lezhë.
Një recetë fantastike, e cila me siguri do të shndërrohet në një nga gatimet më speciale në kuzhinën tuaj.
Përgatitja e Byrekut me Luledele në Shtëpi
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
1 petë byreku e gatshme ose e përgatitur vet
200 gr luledele
200 gr patate
¼ e një kokrre qepe
Një lugë gjelle gjalpë i freskët
2-3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
Piper
Kripë
1-2 thelpinj hudhër
Përgatitja
Pastrojmë luledelet me ujë të rrjedhshëm dhe i vendosim mënjanë.
Më pas qepën e presin në kubikë të vegjël. E vendosim në një tenxhere në zjarr, shtojmë gjalpin dhe i kaurdisim për pak.
Më pas shtojmë patatet e prera në kubikë të vegjël, i kaurdisim për pak dhe më pas shtojmë luledelet dhe një gotë ujë.
Shtojmë pak kripë, piper dhe pak hudhër.
E lëmë të ziejë derisa uji të avullojë dhe kubikët e patateve të kenë zier.
Më pas, e largoni nga zjarri, shtoni djathin kaçkavall të grirë dhe përziejeni derisa masa të njëtrajtësohet.
Marrim një petë byreku, e hapim dhe shtojmë masën e përgatitur.
I japim formën e rolesë dhe më pas e presim në disa copa si byreçka dhe sipër i lyejmë me vezë.
E fusim dhe e pjekim në furrë me 180 gradë.
Shefi i Kuzhinës Marku, shpjegon për AgroWeb.org se ajo që e bën këtë gatim shumë të shijshëm është kremi i djathit.
Kremi i djathit
Gjysmë kutie me pana ose pak ajkë qumështi
2-3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
Pak piper dhe vaj ulliri.
I përziejmë mirë që të gjithë përbërësit dhe i vendosim në zjarr. Në momentin që masa nis të ngrohet e heqim.
Byrekun e vendosim në një pjatancë dhe sipër i shtojmë kremin e djathit.
AgroWeb.org ju fton ta provoni këtë recetë e të ndani me ne përvojën tuaj./AgroWeb.org