ABAZOVIQ, GJUKANOVIQ DHE GJUROVIQ DËRGOJNË TELEGRAM NGUSHËLLIMI LIDHUR ME FATKEQËSINË NË GREQI

Qytetarët e Malit të Zi sinqerisht bashkëndjejnë me miqtë e tyre grekë në momente të vështira, tha kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq me rastin e aksidentit të trenit në Greqi, ku humbën jetën të paktën 38 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.

“Në emër të Qeverisë së Malit të Zi dhe në emrin tim personal, ju dërgoj ngushëllimet më të sinqerta. Qytetarët e Malit të Zi sinqerisht bashkëndjejnë me miqtë e tyre grekë në këto kohë të vështira”, tha Abazoviq.

Ai i kërkoi Mitsotakis që të përcjellë ngushëllimet e tij të sinqerta për familjet e viktimave, dhe uron shërim të shpejtë për të lënduarit.

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq i shprehu ngushëllimet Presidentes dhe Kryeministrit të Greqisë, Katerina Sakelaropoulos dhe Kyriakos Mitsotakis për aksidentin tragjik ku humbën jetën dhjetëra persona.  

“Këtë mëngjes, mendimet tona janë me popullin grek pas aksidentit tragjik në të cilin humbën jetën dhjetëra njerëz”, shkroi Gjukanoviq në Twitter.

Me rastin e aksidentit të rëndë në Greqi, ku humbën jetën një numër i madh njerëzish, kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, i ka dërguar ngushëllimet më të thella Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Greqisë Konstantinos Tasoulos dhe familjeve të viktimat.

Gjuroviq i uroi të lënduarve shërim të shpejtë dhe të suksesshëm.

“Në këto kohë sfiduese, lutemi për miqtë tanë grekë dhe urojmë që tragjedi të tilla të mos u ndodhin më kurrë”, shkroi Gjuroviq në Twitter.

Sipas informacioneve që disponon Ministria e Punëve të Jashtme, në aksidentin tragjik të trenit në Republikën e Greqisë nuk ka mbetur i vdekur apo i lënduar asnjë shtetas malazez.

“Ambasada e Malit të Zi në Athinë po monitoron situatën dhe është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët tanë dhe autoritetet kompetente në Republikën e Greqisë. DKP e Malit të Zi në Republikën e Greqisë mbetet në dispozicion të qytetarëve malazezë në atë vend,” sipas në postimin e MPJ-së në Twitter.

SHARE