KURTI: NORMALIZIMI I MARRËDHËNIEVE ME SERBINË MUND TË BËHET DUKE PASUR NË QENDËR NJOHJEN RECIPROKE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. 

Duke folur në Forumin e dytë Ekonomik në Shkup, kryeministri Kurti tha se Kosova është një histori suksesi e demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik, por theksoi nevojën për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

“Ne duhet të normalizojmë marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe mendoj se normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet duke pasur në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti.

Ai gjithashtu komentoi faktin që mbledhja e ardhshme e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet në Shkup, e jo në Bruksel.

Kurti rikujtoi se Maqedonia e Veriut ka një simbolikë të veçantë pasi edhe më herët ka qenë vendi ku janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Të mos harrojmë se më 9 qershor 1999, pikërisht në Kumanovë u arrit marrëveshja për kapitullimin e Jugosllavisë së Millosheviqit dhe për hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Pra, mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishin të rëndësishme për zotin (Josep) Borrell që na ftoi të vijmë këtu për takimin e radhës të nivelit të lartë”, tha Kurti.

Duke folur për ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës, ai u shpreh se Rusia përpos kësaj lufte, gjithashtu po përpiqet të destabilizojë rajone të ndryshme nëpërmjet luftës hibride.

Ai u shpreh se në Kosovë, pasojat e luftës në Ukrainë janë të shumta, duke përfshirë inflacionin dhe çmimet e larta energjetike.

Kurti gjithashtu u shpreh se populli i Kosovës deri në një nivel kaloi sërish nëpër traumat, duke parë masakrat që ndodhin në Ukrainë, të cilat kosovarët i kanë përjetuar gjatë luftës së viteve 1998-99.

Kryeministri i Kosovës tha se vendi i tij iu bashkangjit sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së kundër Rusisë, gjithashtu duke u zotuar të pranojë deri në 5.000 refugjatë ukrainas.

Duke folur për nismat rajonale, Kurti përshëndeti marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, duke theksuar se Kuvendi i Kosovës veçse i ka ratifikuar këto marrëveshje.

SHARE