POLICIA MALAZEZE DHUNON SHTETASIN SHQIPTAR

Në rrjetët sociale është publikuar një video në të cilën pjesëtarët e Policisë malazeze dhunojnë shtetasin shqiptar.

Policia në Mal të Zi njoftoi se videoja e publikuar në rrjetet sociale më 21 shkurt, në të cilën shfaqet keqtrajtimi i një shtetasi shqiptar nga pjesëtarë të Policisë malazeze, është incizuar më 15 janar.

Incidenti, sipas autoriteteve, ndodhi në pikën kufitare Sukobinë-Muriqan, afër Ulqinit.

“Lidhur me këtë ngjarje janë ndërmarrë masa dhe veprime zyrtare që kanë rezultuar me zbulimin e identitetit të të gjithë aktorëve të përfshirë në ngjarjen e përmendur dhe po përcaktohet përgjegjësia e zyrtarëve të Policisë”, thuhet në njoftim. 

Pas seancës, prokurori i Ulqinit urdhëroi policinë që të arrestojë kolegët Nikolla Boleviq dhe Dragan Shqekiq, të cilët dyshohet se janë autorë të incidentit të ndodhur më 15 janar në pikën kufitare Sukobin – Muriqan, ku ishte keqtrajtuar një shtetas shqiptar.

Këtë informacion e kanë konfirmuar edhe nga Drejtoria e Policisë.

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se videot, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke keqtrajtuar një shtetas të huaj në kufi me Shqipërinë, i ka parë që nga data 15 janar, prej kur edhe “janë ndërmarrë masa”. Ai tha se ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate. Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha ai, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, në lidhje me një video nga rrjetet sociale ku pjesëtarë të policisë malazeze keqtrajtojnë një shtetas shqiptar, tha se presin që emrat e abuzuesve të identifikohen dhe të shpallen publikisht. “Sjellja çnjerëzore dhe arrogante e punonjësve të policisë ndaj një shtetasi shqiptar. Presim që emrat e abuzuesve të identifikohen urgjentisht dhe të shpallen publikisht”, ka shkruar Dukaj në Facebook.

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka, ka reaguar pas përhapjes së videos në të cilin polici malaziaz ushtron dhunë fizikë dhe verbale ndaj një shtetasi të Shqiperisë në pikëkalimin kufitarë Sukubinë-Muriqan. Gjeka deklaroi që shpreson që fajtorët të vihen sa më parë përpara drejtësisë dhe të denohen për veprimet e tyre duke shpresuar që këto pamje të mos përsëriten më kurrë. Ministri ndër të tjera tha që është gjithmonë pro ligjit e drejtësisë por kundër dhunës.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, dënon ashpër sjelljen çnjerëzore të pjesëtarëve të Policisë Kufitare në vendkalimin e përbashkët me Republikën e Shqipërisë.

“Prandaj presim reagim të shpejtë dhe adekuat nga organet kompetente. Kërkojme që, policia të bëjë një hetim urrgjent dhe profesional dhe të ndëshkojë të gjithë ata që me sjellje të pahijshme dëmtojnë imazhin e shtetit. Aq më tepër që është shtetas i huaj dhe i moshuar! Njerëz të tillë thjesht nuk kanë vend në shërbimin civil,“ thekson Bajraktari.

Në lidhje me këtë ngjarje kanë reaguar edhe partitë politike shqiptare që veprojnë në Mal të Zi.

Alternativa Shqiptare tha se ky ishte “një incident i tmerrshëm, shkatërrues për Malin e Zi” ndodhi pak ditë para mbledhjes së planifikuar të përbashkët të dy qeverive.

Alternativa Shqiptare, e kryesuar nga Nik Gjeloshaj, dënoi ashpër incidentin që ndodhi në pikën kufitare të Sukobinës në kufirin midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Unioni Demokratik i Shqiptarëve, partia e Mehmed Zenkës, tha se një pjesëtar i Policisë së Malit të Zi kishte “keqtrajtuar një shtetas shqiptar”.

Së bashku me këtë njoftim, kjo parti prezantoi edhe një video të publikuar nga mediat shqiptare, duke kërkuar nga autoritetet që të zbulojnë se çfarë kishte ndodhur në pikëkalimin kufitar.

“Unioni Demokratik i Shqiptarëve u bënë thirrje organeve kompetente dhe kryeministrit [të Malit të Zi, Dritan] Abazoviq që të ndërmarrin masat e duhura për të ndriçuar situatën e përdorimit të forcës nga Policia ndaj personave të paidentifikuar dhe për të sqaruar urgjentisht këtë situatë”, u tha në njoftim.

Forca e Re Demokratike (FORCA) ka reaguar pas videos së publikuar të një polici kufitar malazez duke keqtrajtuar një shtetas shqiptar.

„Forca e Re Demokratike i bën thirrje ministrit Filip Axhiq që të shkarkojë policët dhe të japë dorëheqjen dhe kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq ta shkarkojë atë në shenjë të vendosmërisë se asnjë qytetar apo mysafir i Ulqinit nuk mund të keqtrajtohet nga policët, siç kanë qenë dikur në pikën e Gazivodës”, thuhet në reagim të Forcës.  

SHARE