Torta më e Thjeshtë në Kushtet e Shtëpisë – Ëmbëlsi e Mrekullueshme

Kjo recetë është shumë e thjeshtë në përgatitje, përbërësit e saj janë bazikë, kërkon pak durim dhe kujdes në përgatitje dhe shija e saj do t’ju ëmbëlsojë pa masë, bashkë me më të dashurit tuaj në familje.

Është një recetë ideale, e cila mund të përgatitet në raste ditëlindjesh, festash e gëzimesh familjare por edhe gjatë fundjavave.

AgroWeb.org ju udhëzon më poshtë të gjithë hapat që duhet të ndiqni për të përgatitur tortën e shtëpisë krejt lehtë në kuzhinën tuaj.

Përgatitja e Tortës së Shtëpisë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për një tortë për 10 persona)

Për Pandispanjën

5 kokrra vezë

1 filxhan çaji miell gruri

5 lugë gjelle të mbushura me sheqer

1 lugë kafeje me gjalpë të freskët

Për Kremin e Pastiçerisë

2 të bardha veze

4 lugë gjelle me miell gruri

1 filxhan çaji e gjysmë me qumësht

½ lugë gjelle me gjalpë të freskët

4 lugë gjelle sheqer

Për Kremin e Gjalpit

100 gr gjalpë pako gjalpë

5 lugë gjelle sheqer

Për Aromatizimin dhe Kombinimin

1 filxhan kafeje liker

1 filxhan kafeje me arra të thërrmuara

½ filxhan çaji me reçel qershie

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të nisni me përgatitjen e pandispanjës.

Rrihni në një tas të bardhat e vezëve veçmas përreth 20-30 minuta derisa vëllimi i masës të dy apo trefishohet dhe masa të fryhet e të bëhet kompakte.

Më vete rrihni të verdhat e vezëve, shtoni aty gjysmën e sasisë së miellit, përzjeini mirë me telin e kuzhinës.

Këtë masë shtojeni tek masa e vezëve të bardha të rrahura, shtoni edhe pjesën tjetër të miellit dhe përzjeini me telin e kuzhinës.

Duhet patur kujdes që gjatë përzjerjes së vezëve me miellin, vëllimi i vezëve të mos ulet.

Më pas, lyeni një tavë me gjalpë në të gjithë sipërfaqen e saj, shtoni aty masën e brumit të përgatitur dhe futeni të piqet në furrë në 200 gradë për 30-35 minuta.

Pandispanja lihet të ftohet për 4-5 orë.

Më pas pritet në dy apo tri shtresa.

Ndërkohë që pandispanja ftohet përgatisni kremin e pastiçerisë.

Në një tas shtoni të bardhat e vezëve, miellin, gjalpin, sheqerin dhe qumështin.

Përzjeini mirë me telin e kuzhinës dhe vendosini në zjarr duke i përzjerë vazhdimisht derisa masa të marrë valë duke pasur kujdes që të mos ngjitet në tenxhere.

E heqim nga zjarri dhe e aromatizojmë me vanilje, e lëmë të ftohet.

Për kremin e gjalpit, kaloni në mikser sheqerin dhe gjalpin derisa të krijohet një masë kremoze e butë.

Pasi të keni përgatitur pandispanjën, kremin e pastiçerisë dhe kremin e gjalpit nisni përgatitjen e tortën.

Torta

Secilën nga shtresat e pandispanjës përkateni me disa pika liker dhe me pak shurup sheqeri (zjeni në një tenxhere një gotë ujë me gjysmë gote sheqer derisa shurupi të lidhet në formën e sherbetit).

Lyejeni seciluen shtresë me krem pastiçerie dhe vendosini njëra mbi tjetrën. Nëse preferoni mund të shtoni edhe disa arra të thërrmuara në secilën nga shtresat e pandispanjës, copëza çokollate apo përbërës të tjerë sipas preferencës.

Në fund, lyejeni të gjithë tortën anash me kremin e gjalpit dhe sipër me kremin e pastiçerisë.

Vendosni arrat e thërrmuara anash tortës si edhe në sipërfaqe dhe dekorojeni me kokrra reçeli sipër.

Torta është gati për t’u servirur dhe ruhet në frigorifer./AgroWeb.org

SHARE