BLINKEN: SERBIA DHE KOSOVA DO TË BËJNË KOMPROMISE TË VËSHTIRA

Udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës do të “bëjnë kompromise të vështira” për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat do të sjellin siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, tha sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, shkroi Blinken.

Në letrën drejtuar Serbisë në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet se SHBA vlerëson partneritetin strategjik që kanë me Serbinë “për të çuar përpara një të ardhme më të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”.

Sekretari Blinken, ndër tjerash, tha se SHBA janë një mbështetës i fortë i ambicieve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe përshëndeti “angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd”.

Blinken gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar të Rusisë.

SHARE