Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare, si dhe planin evropian të njohur edhe si plani franko-gjerman si marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.
Në seancën e thirrur nga opozita, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij foli gjerësisht për planin evropian që nga prezantimi i tij tek pala kosovare deri në takimet e fundit për diskutimet rreth këtij plani.
Kurti tha se ky plan ka edhe një draft të dytë ku janë përfshirë dy parime të palës kosovare, ndërsa bëri të ditur se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë e kanë bërë të qartë se plani franko-gjerman është fare pranë propozimit “merre ose leje”.
“Pranimi i propozimit kryesor të planit evropian përbën avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de fakto. E dyta, plani kryesor nuk ka asnjë referencë të ndonjë asociacioni, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre. Dhe, e treta, tash, hapi kryesor dhe ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me asociacionin, do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit. Aty, qëndrimi im është që asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohen gjashtë kushtet që i kam paraqitur para jush një javë më parë”, theksoi Kurti.
Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është partia më e madhe opozitare në Kuvend, tha se partia e tij përkrah një dialog i cili ka një epilog dhe që përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se mungesa e raportimeve të rregullta mbi dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel është bërë jo vetëm praktikë nga ana e Qeverisë, por edhe refuzim. Abdixhiku tha se koordinimi i Kosovës me aleatët e saj “nuk ka qenë kurrë më i largët dhe më i dëmshëm se sa sot”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha para deputetëve se AAK-ja është pro planit franko-gjerman. Sipas Haradinajt, marrëveshja që përmban ky plan do të jetë ndarje finale midis Kosovës dhe Serbisë.