“ALEANCA PËR SHQIPTARËT” HYN NË QEVERINË E RMV

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të zgjerohet edhe me një parti politike, Aleancën për Shqiptarët (ASH), e cila deri tani ishte në opozitë. Vendimi u bë i ditur të enjten në mbrëmje nga kryetari i kësaj partie, Arben Taravari pas bisedimeve disa ditëshe me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski. Kjo parti ka tetë deputetë dhe me përfshirjen në qeveri do t’i krijojë stabilitet qeverisë aktuale që përbëhet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe disa parti më të vogla. Arben Taravari, kryetari i Alencës për Shqiptarët tha se pjesëmarrja e kësaj partie në qeveri ka të bëjë me “ruajtjen e kursit evropian të Maqedonisë së Veriut”. “Me parimet e platformës për bashkëpunim me Aleancën e Shqiptarëve, të miratuara nga orannet partiake, sigurohen të gjitha kushtet për stabilitet politik dhe rritje të efikasitetit të Kuvendit dhe të institucioneve…Pjesëmarrja jonë në qeveri është në funksion të stabilitetit të vendit, miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimit të kursit evropian të Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët. Kjo parti në qeveri do të ketë një post të zëvendëkryeministrit për investimet kapitale, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Shëndetësisë, dy pozita të zëvendësministrave të Mbrojtjes dhe Bujqësisë, dy sekretarë shetërorë, si dhe disa drejtori.

SHARE