Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se rreth 23 milionë njerëz mund të preken nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë jugore herët të hënën, i cili ka lënë mbi 5000 të vdekur dhe mijëra të tjerë të plagosur. “Hartat e përmbledhjes së ngjarjeve tregojnë se potencialisht 23 milionë njerëz janë të ekspozuar, duke përfshirë rreth 5 milionë popullsi të cenueshme, duke përfshirë më shumë se 350,000 të moshuar, 1.4 milionë fëmijë,” tha zyrtari i lartë i urgjencave të OBSH-së Adelheid Marschang në mbledhjen e bordit ekzekutiv të agjencisë shëndetësore të OKB-së në Gjenevë. Kreu i OBSH shprehu shqetësimin e tij për situatën, duke e quajtur atë një “garë me kohën”. “Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për zonat ku nuk kemi ende informacion,” tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Hartëzimi i dëmit është një mënyrë për të kuptuar se ku duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë.” Agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) tha se tërmetet dhe goditjet pasuese, që shkatërruan mijëra ndërtesa në Turqi dhe Siri, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë. “Tërmetet që goditën jugun e Turqisë dhe veriun e Sirisë mëngjesin e ditës së djeshme, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder. Ai shtoi se kjo agjenci e OKB-së nuk ka mundur të saktësojë numrin e fëmijëve të vrarë.