ULAREVIQ: NDRYSHIMET POLITIKE NUK SJELLIN LËVIZJE CILËSORE

Ndryshimet politike që kanë ndodhur në Mal të Zi në vitet e fundit nuk kanë sjellë ndryshime cilësore në konsolidimin demokratik të shoqërisë, ka deklaruar drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Edukim Qytetar, Daliborka Ulareviq. “Edhe përkundrazi, duket se niveli i përgjegjësisë, dialogut, rrjedhimisht i tolerancës dhe i shprehjeve demokratike është dukshëm më i ulët. Të gjitha premtimet e dy qeverive të fundit për përmirësimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile mbetën një shkronjë e vdekur në letër”, thotë Ulareviq.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj bëri të ditur se reforma e administratës publike dhe integrimi evropian i shtetit kërkon punë të përbashkët (të sektorit shtetëror dhe civil) për të arritur qëllimet e përbashkëta. “Nuk ka asnjë ministri, asnjë qeveri apo parti që mund të çojë në integrimin e suksesshëm të shoqërisë në komunitetin evropian. Në atë proces duhet të përfshihen edhe sektori civil dhe të gjitha forcat shoqërore që kanë ndikim pozitiv në ndryshimet në gjithë gjendjen e shoqërisë”, thotë Dukaj. Ai tha se sistemi i bashkëpunimit me sektorin joqeveritar mund të merret si një nga treguesit e arritjeve demokratike të shoqërisë. “Bashkëpunimi brenda vetë OJQ-ve dhe uniteti i tyre rreth temave kyçe është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ministria e Administratës Publike i sheh OJQ-të si partnerë strategjikë në reformat, reflektimin dhe zbatimin e politikave publike”, tha Dukaj.

Zëvendës shefja e Departamentit për Bashkëpunim të Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi Liselot Isakson tha se shoqëria civile aktive është element kyç i çdo sistemi demokratik. Siç shtoi ajo, shoqëria civile në rastin më të mirë është zëri i qytetarëve dhe kanal komunikimi ndërmjet institucioneve qeveritare dhe qytetarëve. “Qeveria duhet të njohë rëndësinë e shoqërisë civile dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të luajnë rolin e tyre në një mënyrë të përgjegjshme dhe proaktive,” tha Isakson.

SHARE