ABAZOVIQ DHE NIKOVIQ: RINDËRTIMI I NJËSIVE TË AMBULANCËS NË 4 QYTETE, PLANIFIKOHEN EDHE NË 8 QYTETE TË TJERA

Kryeministri në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, ka pritur sot në zyrë drejtorin e Institutit për Ndihmë Emergjente Mjekësore të Malit të Zi, Vuk Nikoviq. Gjatë takimit janë përmbledhur rezultatet e punës së Institutit për Ndihmë Emergjente Mjekësore në periudhën paraprake, si dhe janë renditur prioritetet e punës në periudhën në vijim, njoftojnë nga zyra e Abazoviqit. Nikoviq theksoi se në gjashtë muajt e mëparshëm në Institutin për Ndihmë Emergjente Mjekësore është investuar dhe realizuar një investim në vlerë prej 1.112.933.98 euro, prej të cilave 244.700.00 euro janë donacione. Abazoviq u shpreh i kënaqur me atë që është bërë dhe tha se Qeveria do të vazhdojë të investojë në sistemin shëndetësor të Malit të Zi, duke punuar njëkohësisht për përmirësimin e infrastrukturës dhe pozitës së personelit shëndetësor. Në takimin e Abazoviqit me Nikoviqin, siç raportohet, është biseduar edhe për projektet e infrastrukturës që janë duke u zhvilluar.  Në këtë kontekst, Nikoviq tha se po punohet për ndërtimin e njësisë së re të Institutit në Guci, e cila për herë të parë do të marrë Ambulancë për Ndihmë të shpejtë, përshtatjen dhe rikonstruksionin e ambulancës në Ulqin, renovimin e njësisë së Institutit në Kotorr, si dhe punohet në zhvillimin e projekteve për rindërtimin dhe përshtatjen e njësive të Institutit në Tivar, Budva, Nikshiq, Bijello Polje dhe Berane.

SHARE