Në vigjilje të përkujtimit të 555-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se figura e Heroit Kombëtar nuk njihet aq sa duhet. Sipas Ramës, ajo do të duhet të njihet edhe më shumë, veçanërisht në kontributin që duhet të japin historianët. Rama ka përkujtuar 555-vjetorin e Heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu përmes një video në Facebook, ku Himni i Flamurit këndohet nga nxënësit e shkollave. Rama bën të ditur vendimin se duke nisur nga java e ardhshme, Himni i Flamurit do të vijojë të këndohet çdo fillim jave mësimore. “Dhe me Himnin e Flamurit që këndohet nga të gjithë nxënësit e shkollave sot, në ditën e 555-Vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEUT, si edhe me vendimin që kështu do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Në këtë ditë, edhe Bashkia e Tiranës organizoi homazhe në nder të figurës së Skënderbeut. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj ka vendosur një kurorë me lule në nderim të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, pranë memorialit të tij në Sheshin “Skënderbej”. “Në 555-vjetorin e vdekjes, nderojmë Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEU! Përulemi me respekt para veprës së tij!”, shkruajti ditën e sotme Veliaj.