ÇMIMET RRITEN ÇDO DITË, STATISTIKAT NUK I REGJISTROJNË KËTO TË DHËNA

Çmimet e ushqimeve dhe produkteve higjienike në raftet e dyqaneve po rriten çdo ditë, gjë që jemi dëshmitarë sa herë që dalim në treg. Por, këtë rritje nuk e shënojnë statistikat zyrtare, sipas të cilave shporta minimale e konsumatorit është rritur për vetëm 100 euro nga fillimi deri në fund të vitit të kaluar. Llogaritja e Sindikatës dhe e Qendrës për Mbrojtjen e Konsumatorit megjithatë tregon se shpenzimet mujore të jetesës kanë tejkaluar prej kohësh të ardhurat e shumicës së qytetarëve. Në fund të vitit të kaluar, një familje me katër anëtarë është dashur të ndajë gati 800 euro për shportën minimale të konsumit. Pak më pak se gjysma e kësaj sasie i referohet ushqimit dhe pijeve joalkoolike. Kostot totale ishin, sipas të dhënave zyrtare, më të larta për rreth 100 euro krahasuar me fillimin e vitit 2022. Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorit thotë se vitin e kaluar është dashur të ndahen më shumë para për ushqim dhe higjienë sesa janë regjistruar në statistikat zyrtare. E kur kësaj i shtohen edhe rryma, uji dhe detyrimet tjera, shpenzimet mujore të jetesës, sipas përllogaritjeve të Sindikatës, prej kohësh kanë tejkaluar të ardhurat e shumicës së qytetarëve. „Pothuajse dy paga minimale nevojiten për të mbuluar vlerën aktuale të shportës së konsumatorit pa qira të imputuar. Nëse e dimë se paga mesatare në Mal të Zi është 720 euro sipas të dhënave më të fundit dhe nëse imagjinojmë që një familje mesatare ku kemi 1.2 të punësuar merr pagë mesatare, kjo do të thotë se familja mesatare jeton me 800 euro dhe kjo është vetëm aq sa duhet për atë minimum”, tha kryetari i Unionit të Sindikatave të Lira, Srgja Kekoviq. E ndërsa të ardhurat po e humbin garën me rritjen e çmimeve çdo ditë, qytetarët mësohet se po arrijnë ta mbijetojnë muajin në mënyra të ndryshme.

SHARE