BORË NË IRAN, PËRMBYTJE NË ARABINË SAUDITE

Pasi përfshiu perëndimin dhe veriun e Iranit, një front i acartë dimëror u përplas  edhe mbi kryeqytetin e vendit, Teheran, duke paralizuar fluturimet, mbyllur shkollat, duke bllokuar autostradat e mbi të gjitha duke befasuar njerëzit, që u përballen me reshje të dendura bore për të parën herë në më shumë se një dekadë. Reshjet e borës nisën që të shtunën e kanë vazhduar duke shkaktuar ngërçe të mëdha në dy aeroportet kryesore, atë ndërkombëtar Imam Khomeini dhe Mehrabad, ku avionët kanë mbetur në tokë për orë të tëra. Skena konfuzioni e zhgënjimi pati edhe udhëtarëve në linjat hekurudhore. Disa trena me destinacion Teheranin mbetën të bllokuar në mes të rrugës, e njerëzit nuk dolën dot prej aty për disa kohë. Stuhia masive e borës që ka mbuluar pjesën më të madhe të rajoneve perëndimore dhe veriore të vendit, ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje të energjisë dhe rritje të konsumit të gazit në disa zona. Një tjetër vend i Lindjes së Mesme përballet edhe ai me një furi të rrallë të motit: Pamjet e marra nga ajri tregojnë nivelin e përmbytjeve masive në Wadi Al-Rummah, një nga luginat më të mëdha të përshkuara nga lumenj në Arabinë Saudite. Wadi Al-Rummah, me një gjatësi prej rreth 600 kilometrash, po vuan pasojat e dy javësh reshje të rrëmbyera shiu që goditën pjesën lindore të rajonit Qassim. Lumi atje pothuajse ishte tharë pas një thatësire disa vjeçare, ndërsa lugina ishte bllokuar pjesërisht nga dunat e rërës.

SHARE