LEKIQ: METODA E OFRUAR E FORMIMIT TË QEVERISË ISHTE DEMOKRATIKE DHE NË INTERES TË SHTETIT

Metoda e ofruar për formimin e një qeverie të re ishte demokratike, me përgjegjësi publike dhe ekskluzivisht në interes të shtetit, tha lideri i Demos, Miodrag Lekiq. Lekiq, të cilit i është dhënë mandati për të formuar qeverinë e 44-të nga Parlamenti në bazë të Ligjit të ndryshuar për Presidentin, ka mohuar akuzat e kryeministrit Dritan Abazoviq se çështja e formimit të qeverisë së re është marrë lehtë. “Përkundrazi, u ofrua një metodë serioze e punës bazuar në strukturën tashmë të dakorduar të qeverisë dhe drejtimet programore që më parë ishin nënshkruar nga 41 deputetë”, ka theksuar Lekiq në një deklaratë të publikuar në Facebook. Sipas Lekiqit, çdo subjekti politik i lihet mundësia demokratike që gjatë punës, qoftë edhe në seancën vendimmarrëse në Kuvend, të heqë dorë nga votimi për zgjedhje dhe besimi në qeverinë e re, nëse mendon se ka arsye për atë veprim. Lekiq tha se janë përpjekur të formojnë një qeveri serioze dhe publike të Malit të Zi me drejtimet themelore të konstituimit të Malit të Zi si shtet ligjor, evropian, demokratik dhe përfundimisht i dekriminalizuar. Ai falënderoi kolegët e tij, veçanërisht Frontin Demokratik dhe Demokratët, për besimin dhe siç tha ai, qëndrimin vetëmohues që kanë treguar në fushën e personelit, programimit dhe çështjeve të tjera organizative. “Besoj se kjo përbërje do të kontribuojë në kërkimin e zgjidhjeve demokratike dhe racionale në periudhën e ardhshme si dhe në përpjekjet për të dalë nga çrregullimi i thellë politik, institucional dhe mbi të gjitha vlerat në vend”, përfundoi Lekiq.

SHARE