DORËZOHEN PASTRUESIT E AJRIT NË SPITALIN E PLEVLËS

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, së bashku me ministren e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ana Novakoviq – Gjuroviq dhe ministrin e Shëndetësisë, Dragosllav Shqekiq, kanë dorëzuar pastruesin e ajrit në spitalin e Plevlës dhe kanë njoftuar se do të shpërndahen nëpër shkolla dhe kopshte. Kryeministri Abazoviq tha se një lloj ndihme për shkak të ndotjes së ajrit tashmë ka filluar të realizohet përmes pastruesve të ajrit. Ai tha se do të subvencionojë çmimin e rrymës dhe do të shpërndajë maska, duke shtuar se e gjithë kjo nuk është zgjidhje e problemit për Plevlën. Ai bëri të ditur se në seancën e ardhshme të Qeverisë do të merret vendim që ngrohja e Plevlës të shpallet çështje e interesit publik, në mënyrë që punimet të ecin pa probleme dhe pa pengesa. Kryeministri deklaroi se shteti është i gatshëm të shqyrtojë subvencionimin e kalimit në ngrohje elektrike. “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit sa më shumë që të jetë e mundur. Apeli im është që të gjithë të jenë partnerë në këtë, të kuptojnë se nuk mund të kenë më ngrohje me qymyr, ajo shkatërron mjedisin dhe shëndetin”, shtoi Abazoviq. I pyetur se si e komenton faktin që disa i konsiderojnë masat e marra si populiste, Abazoviq tha se ata bënë gjithçka për të mirën e qytetarëve.

SHARE