ZENKA: ËSHTË E PAPRANUESHME QË KRYEMINISTËR TË JETË DIKUSH QË MBËSHTET POLITIKËN E MILLOSHEVIQIT

Për Unionin Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) është e papranueshme që deputeti i DEMOS-it, Miodrag Lekiq të jetë mandatar i ri dhe kryeministër i ardhshëm, sepse, siç thonë ata, ka përkrahur politikën e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq. “Për Unionin Demokratik të Shqiptarëve është e papranueshme që të bëhet përbërja e qeverisë së ardhshme malazeze dhe që kryeministër i vendit tonë të jetë një njeri që gjatë luftës së Kosovës e ka përkrahur hapur dhe publikisht Millosheviqin dhe krimet e tij në Kosovë”, tha kryetari i asaj partie, Mehmed Zenka. Siç tha ai, UDSH-ja dhe shqiptarët në Mal të Zi janë të orientuar drejt politikës euroatlantike dhe “nuk mund t’i mbështesin dashamirësit e politikës gjenocidale si dhe politikën e hapur ballkanike, e cila është kamuflazh për botën serbe”. “Është e papranueshme për ne, si dhe për të gjithë qytetarët që mendojnë për të ardhmen e Malit të Zi, të pranojnë një kthim në të kaluarën siç ishte në vitet 90, kur dihet përgjithësisht se çfarë statusi kishin pakicat në Mal të Zi,” thuhet në njoftim. Zenka theksoi se partia e tij beson se e vetmja rrugëdalje nga kriza janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, jo një tjetër “qeveri e dështuar”.

SHARE