Komisioni Europian e paraqiti më në fund propozimin e shumëpritur të një çmimi tavan mbi gazin pas disa muajsh presioni nga vendet e BE. I ashtuquajturi “mekanizmi i korrigjimit të tregut” do të zbatohet për qendrën kryesore të tregtimit të gazit të BE-së, TTF holandeze, dhe synon të kufizojë shtrenjtimin e çmimit atëherë kur ai nuk ka lidhje me rritjen e çmimeve globale. “Ne mbetemi të ekspozuar ndaj këtyre rritjeve që dëmtojnë industrinë europiane dhe vendosin një barrë të madhe mbi familjet tona”, u shpreh Komisionerja e Energjisë Kadri Simson.” Deri më tani, na ka munguar një mjet në kutinë tonë të veglave për të trajtuar situata si ajo që dëshmuam në muajin gusht, dhe ky mekanizëm është ai që ne po propozojmë sot”, shtoi ajo, duke iu referuar momentin kur çmimet e muajit të kaluar në TTF holandeze kapërcyen në mbi 300 euro për megavat orë. Nëse miratohet nga vendet e BE-së, kufiri do të jetë në fuqi për një vit dhe do të zbatohet po të plotësohen dy faktorë: nëse çmimet e muajit përpara në TTF holandeze tejkalojnë 275 € për dy javë dhe nëse diferenca midis çmimit TTF dhe Çmimit global të gazit natyror të lëngshëm, LNG, është 58 € ose më shumë. Tregjet do të monitorohen nga rregullatori europian ACER. Nëse plotësohen kriteret, do të publikohet një njoftim dhe do të aktivizohet mekanizmi, duke parandaluar tregtimin e produkteve të muajit përpara mbi çmimin e caktuar. Nëse çmimet më pas bien ose kuotimet e tregut global rriten ndjeshëm, tavani i çmimit do të çaktivizohet.