MOTI I KEQ, ALARM I VERDHË NË PESË RAJONE TË ITALISË: RRUGËT TRANSFORMOHEN NË LUMENJ

5 rajone të Italisë janë në alarm të verdhë nga moti i keq: Bazilikata, Kalabria, Kampania, Sardenja dhe Siçilia. Vërshime uji pati një ditë më parë edhe në Marche, ndërkohë që në zonë vazhdojnë të ndihen edhe paslëkundje tërmeti. Gjatë natës, një tërmet i magnitudës 5.4 u regjistrua pranë ishullit grek të Kretës. Në Sardenjë, – Mbrojtja Civile lëshoi një paralajmërim për kushte të rënduara moti të paktën deri të martën: ishulli duket se do të vazhdojë të mbetet edhe për pak nën pushtetin e shirave të rrëmbyer dhe stuhive. Autoritetet rekomanduan kujdes maksimal sidomos për personat që qarkullojnë me makinë, dhe këshilluan në mënyrë të vecantë që të shmangen nënkalimet apo përdorimi i metrosë, sepse mund të ketë përmbytje të papritura. Një stuhi e dhunshme breshëri, e cila zgjati rreth pesëmbëdhjetë minuta – me kokrra që mbërrinin madhësinë e topave të ping-pongut, goditi Ishujt Aeolian mëngjesin e sotëm duke shkaktuar dëme serioze për të mbjellat. Stuhia e breshërit u pasua me shi të rrëmbyeshëm i cili, në shumë zona i shndërroi rrugët gati në lumenj duke vështirësuar qarkullimin, vec të tjerash për shkak të gurëve e mbeturinave që vërshimi i ujit depozitoi aty. Në Stromboli, për të disatën herë, një lumë balte zbriti nga mali i “zhveshur” prej bimësisë. Disa ditë më parë, stuhi me një forcë të paprecedent, sic u përshkrua nga mediat vendase, shkaktuan kaos në Spanjë duke detyruar mbylljen e përkoheshme të aeroportit të Valencias; ato lanë më mijëra vetë pa energji elektrike e sollën përmbytje të befasishme që i morën jetën një të mituri.

SHARE