SHQIPËRI, HAPET EDICIONI I 25-të I PANAIRIT TË LIBRIT

Në Shqipëri është hapur edicioni i 25-të i panairit i librit “Tirana 2022”, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë me mbështetjen e institucioneve të ndryshme.  Në aktivitetin e hapjes së panairit në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm ministra, përfaqësues të tjerë të institucioneve, të shtëpive botuese, shkrimtarë dhe studiues. Në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, tha se çdo vit kanë një buxhet të dedikuar për të pasuruar bibliotekat e shkollave. “Ne të gjithë bashkë duhet të mobilizohemi jo vetëm me një panair në vit, por me shumë aktivitete të tjera, në mënyrë që t’i tërheqim të rinjtë, të rejat, fëmijët drejt librit dhe leximit”, tha Kushi. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij u bëri thirrje qytetarëve që ta vizitojnë panairin e librit. Pjesë e panairit është edhe Instituti “Yunus Emre”-Tiranë, ku në stendën e tij prezantohen botimet e institutit, botime të tjera të ndryshme dhe materiale promovuese për Türkiye-n, ndërkohë nën kujdesin e institutit do të organizohen edhe takime me shkrimtarë. Panairi që mbahet në datat 16-20 nëntor, organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit të Shqipërisë dhe Bashkisë së Tiranës. Në panair, përveç ekspozimit të librave do të organizohen takime me shkrimtarë, promovime të botimeve, seminare dhe aktivitete të tjera. Në panair marrin pjesë dhjetëra shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

SHARE