POLITIKA E ZGJERIMIT KYÇ PËR RUAJTJEN E PAQES DHE STABILITETIT NË EVROPË

Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) është kyçe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë, u vlerësua në takimin e ministrave të jashtëm të Iniciativës së Evropës Qendrore (IEQ) në Sofje. Siç njofton Qeveria e Malit të Zi, gjatë takimit është diskutuar për temën “Rajoni i IEQ – i bashkuar në mbështetje të Ukrainës dhe përpjekjet për të përballuar pasojat e luftës”. “Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të IEQ dënuan ashpër agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe thanë se do të vazhdojnë me mbështetjen humanitare dhe financiare për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, thuhet në njoftim. Këshilltari i kryeministrit për politikën e jashtme, Gjorgje Radulloviq, dënoi agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe vuri në dukje se bota po përballet me sfida komplekse në rrugën e ruajtjes dhe forcimit të stabilitetit. Ai theksoi se Mali i Zi ka ofruar ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, ka ofruar kapacitetet e portit të Tivarit për nevojat e eksportit dhe importit të mallrave dhe ka pritur disa mijëra refugjatë ukrainas. “Takimi në Sofje përfundoi me miratimin e Deklaratës së Përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme të IEQ, e cila afirmon solidaritetin dhe unitetin e IEQ në përpjekjet e përbashkëta për arritjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit”, përfundon njoftimi.

SHARE