BORISOV FITON ZGJEDHJET NË BULLGARI

Partia e qendrës së djathtë GERB e ish-kryeministri Boyko Borisov është fituese e zgjedhjeve të së dielës në Bullgari. Ashtu siç kishin parashikuar edhe sondazhet e para pas mbylljes së qendrave të votimit, teksa janë numëruar 99.5 për qind e të gjitha fletëve të votimit, partia e drejtuar nga Borisov ka arritur të marrë 25.37 për qind të votave. Menjëherë pas GERB është renditur partia “Vazhdimi i ndryshimit” e ish-kryeministrit Kiril Petkov me 20,21%. Ish-kryeministri Petkov, e pranoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, por përjashtoi mundësinë e krijimit të një qeverie së bashku me partinë e Borisovit. Rezultatet e zgjedhjeve i japin të drejtën Borisovit që të marrë mandatin i pari për forimin e qeverisë së re, por analistët parashikojnë se kjo gjë do jetë një mision i pamundur për shkak të fragmentarizimit të politikës bullgare, ndonëse ish-kryeministri u tregua i hapur për bisedime “me të gjitha partitë”. Një partner potencial për GERB është partia e pakicës turke, MDL, që sipas llogaritjeve të fundit ka arritur 15% të votave. Edhe dy parti pro ruse kanë arritur rezultate deri në 15%, por gjithsesi arritja e një koalicioni qeverisës duket e vështirë. Rezultatet e fragmentarizuara vështirësojnë edhe rrugën e negociatave për Maqedoninë e Veriut e cila ende nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e propozimit francez për të ndryshuar Kushtetutën dhe njohur si popull shtet formues bullgarët.

SHARE