KOSOVË, HAPET SAMITI DIXHITAL I BALLKANIT PERËNDIMOR “PRISHTINA 2022”

Sot është hapur në Prishtinë edicioni i pestë i Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor “Prishtina 2022”.  Ky samit organizohet nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës së bashku me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC) me pjesëmarrës nga shumë shtete. Kjo ngjarje çdo vit organizohet në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor dhe mbulon tema mbi Shkathtësitë Dixhitale, Infrastrukturën dhe Shërbimet, Besimi dhe Siguria dhe Ekonomia Dixhitale. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se samiti bën bashkë politikëbërës, biznese dhe ekspertë të fushës së teknologjisë në rajon dhe më gjerë. Ai tha se Kosova është e gatshme për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe dixhitalizimin. “Dixhitalizimi e ngrit cilësinë e shërbimeve, pastaj llogaridhënien e zyrtarëve dhe transparencën e proceseve në administratën publike por pa dyshim edhe në industri, ndërmarrësi, edukim, shëndetësi e të tjera”, theksoi Kurti. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se synimi i samitit ka qenë llojllojshmëria e aktiviteteve dhe të mos ketë vetëm politikëbërës dhe biznese, por të përfshihen edhe të rinjtë. “Kemi një organizim kaq të mirë dhe kaq të suksesshëm i cili sjellë gjithë këta pjesëmarrës, biznese, folës, panelistë, ekspertë nga rajoni, Evropa dhe ShBA-ja në një listë temash shumë interesante dhe relevante për sektorin siç janë shkathtësitë dixhitale, infrastruktura, siguria e shërbimeve dhe ajo kibernetike, biznesi inovativ dhe gjithashtu edhe një listë e aktiviteteve tjera”, theksoi Rizvanolli. Gjatë këtij samiti dixhital do të ketë katër gara të grupeve të të rinjve të të gjitha shteteve në kodim, lojëra kompjuterike dhe fusha të tjera. Në këtë samit po marrin pjesë më shumë se 200 biznese dhe më shumë se 60 folës. Gjithashtu pjesëmarrës do të jenë edhe 42 fëmijë të ndarë në 21 ekipe nga të gjitha shtetet. Samiti dy ditorë do të mbahet më 21-22 shtator ku do të presë nivele të lartë pjesëmarrësish nga Komisioni Evropian, shtetet e Ballkanit Perëndimor si: kryeministra, ministra dhe përfaqësues e pjesëmarrës të shumtë.

SHARE