Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Izrael, u takua me Ministrin e Çështjeve të Diasporës të Shtetit të Izraelit, Nachman Shai dhe deputetin e Knesset njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Kushtetutës, Ligjit dhe Drejtësisë, Gilad Kariv. Gjatë bisedës me ministrin Shai u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, gjë që reflektohet edhe në dialogun e rregullt politik të nivelit të lartë. „Shpresojmë se së shpejti marrëdhëniet dypalëshe do të forcohen më tej. E theksuam rëndësinë e ofrimit të shërbimeve digjitale për të gjithë qytetarët, por edhe për diasporën, në mënyrë që diaspora të jetë edhe më e lidhur me vendet e origjinës dhe u paralajmërua bashkëpunim në projekte të përbashkëta në këtë fushë,“ tha Dukaj. Ministri Dukaj e njoftoi ministrin Shai edhe me qëndrimin dhe bashkëpunimin e komunitetit hebre dhe Qeverisë së Malit të Zi.
Siç njoftojnë nga Ministria e Administratës Publike, Kariv e informoi ministrin Dukaj për situatën aktuale politike në Izrael dhe theksoi se Shteti i Izraelit është i orientuar drejt përmirësimit të kontekstit politik rajonal në përputhje me parimet demokratike dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve. Gjithashtu, Kariv mbështeti perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Malit të Zi. Dukaj e falënderoi deputetin Kariv për mbështetjen që dha Izraeli gjatë betejës kundër koronavirusit dhe shton se e ka njoftuar me situaten aktuale politike dhe sociale në Mal të Zi, me theks të veçantë në pozitën e komunitetit hebre në Mal të Zi dhe bashkëpunimin e tij me Qeverinë e Malit të Zi.
Mbrëmë Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka patur edhe një darkë pune në Tel Aviv me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, Elbert Krasniqi, si dhe me Ministrin e Bashkëpunimit Rajonal të Shtetit të Izraelit, z. Issawi Frej.