HYN NË FUQI PAKETA ANTIKRIZË NË KOSOVË / 100 EURO PËR STUDENTËT, PUNONJËSIT DHE PENSIONISTËT

Qeveria e Kosovës miratoi paketën e re ekonomike për të mbështetur financiarisht kategori të ndryshme për të ndihmuar në përballimin e krizës së rritjes së cmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. Në paketën e re pensionistët do të mbështeten me 100 euro shtesë, zyrtarët publikë do të marrin shtesë prej 50 eurosh, kurse punëtorët në ndërmarrje publike do të marrin shumën prej 100 eurosh. 100 euro janë planifikuar edhe për studentët. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prezantoi pakon e re financiare në një konferencë për media duke thënë se Qeveria po mundohet t’i ndihmojë qytetarët për të përballuar më lehtë inflacionin. Ai ka njoftuar se nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë për muajt e mbetur të këtij viti fiskal, ndërsa do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike. Ai shtoi se përmes pakos për përballjen me inflacion do të ndahen rreth 150 milionë euro. Nga shtatori po ashtu pritet të subvencionohet energjia elektrike për të gjithë ata që kursejnë.

SHARE