BRITANIA E MADHE PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Në një kohë që në Shqipëri janë nën hetim disa shtetas rusë për akte spiunazhi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se po punon për të larguar ndikimin keqdashës të Rusisë dhe për të mbrojtur paqen, prosperitetin dhe stabilitetin e rajonit. “Ndërkohë që këto vende të Ballkanit Perëndimor kërkojnë mbështetje më të madhe nga komuniteti ndërkombëtar, ka një mundësi që NATO dhe Britania e Madhe të ofrojnë siguri, të tregojnë përkushtim për të mbështetur sigurinë në rajon. Sulmi rus ndaj Ukrainës ka rritur rrezikun e keqvlerësimit ose shfrytëzimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Një nga masat konkrete nga Londra është dërgimi i ekspertëve ushtarake në rajon si pjesë e NATO-s për të punuar kundër ndikimit të dëmshëm rus. Britanikët shohin si një problem të madh faktin se Rusia plotëson pothuajse 100% të nevojave për gaz në këtë rajon në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina. Ky angazhim britanik për rajonin ndodh teksa në Londër vijon beteja për postin e Kryeministrit ku favoritja ministrja e Jashtme Liz Truss ka dëshmuar edhe me vizitën e saj të fundit në Sarajevë se do të thellojë masat kundër ndikimit rus. Ndryshe nga Truss, rivali Rishi Sunak është një enigmë e plotë në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor. Si ekspert i ngarkuar me ekonominë, ministri i Financave nuk e ka përmendur asnjëherë temën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor apo ndikimin rus në këtë rajon.

SHARE