KRYEMINISTRI ABAZOVIQ VIZITË ZYRTARE NË KROACI

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ndodhet për një vizitë zyrtare në Kroaci, ku u prit në Zagreb me nderimet më të larta shtetërore nga kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Siç tha Plenkoviq, me Abazoviqin ka pasur bisedime për gjendjen e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). “Kroacia ka ndihmuar në dhjetë vitet e fundit në mënyra të ndryshme, veçanërisht me transferimin e njohurive”, tha Plenkoviq, duke paralajmëruar mbështetje të mëtejshme për rrugën evropiane të Malit të Zi. Interesi i Kroacisë, siç tha ai, është lidhja me Malin e Zi nëpërmjet rrugëve trans-evropiane të transportit dhe energjisë: “Veçanërisht korridori Adriatiko-Jonian, si dhe për të vazhduar diskutimet në lidhje me gazsjellësin Adriatiko-Jonian”. Kryeministri Abazoviq tha se kanë pasur një takim shumë domethënës, duke theksuar se “e ardhmja jonë është e përbashkët”. “Ne e shohim Malin e Zi si pjesë të BE-së. Ne i jemi jashtëzakonisht mirënjohës Kroacisë që e solli BE-në në kufijtë tanë. Ne presim që Kroacia, si fqinji ynë më i afërt, si vendi ynë vëlla, të jetë shtytësi kryesor i gjithçkaje evropiane në Mal të Zi“, tha Abazoviq. Ai thotë se Mali i Zi do të bëjë gjithçka për të qenë anëtari i ardhshëm i BE-së: “Nëse ka një vend që është ideal për të ringjallur procesin e zgjerimit, ai është padyshim Mali i Zi”. Në konferencën për media me kolegun e tij kroat Andrej Plenkoviq, Abazoviq tha se prioritet i Malit të Zi është rruga evropiane dhe që të realizohet, asnjë çështje nuk duhet të jetë pengesë. “Ne nuk i hapim çështjet e kishës, ne i mbyllim ato. Ato janë hapur dhjetë vite më parë. Prandaj, ne nuk i hapim. Ne i mbyllim ato. Kur t’i mbyllim ato, fokusi i vetëm do të jetë e ardhmja e përbashkët evropiane”, tha Abazoviq, duke thënë se Marrëveshja Themelore është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi. Abazoviq tha se çdo akt, qoftë ligj apo kontratë, mund të kontrollohet në Gjykatën Kushtetuese. Ai beson se është më së mençuri t’i jepet fund kësaj çështje, në mënyrë që fokusi të jetë në kapitujt 23 dhe 24, gjë që hap mundësinë e mbylljes së kapitujve të tjerë të negociatave.

SHARE