Bota e çmendur e Arthur Brownit

Bisedë e gazetarit Dave Simpson me rokerin Arthur Brown / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjithmonë i kam dashur flakët. Nuk e di nëse ka të bëjë me shpërnguljen në Londër, në fund të luftës, kur isha tre vjeç dhe kur Ist-Endi ishte në zjarr. Nëse shikoni në qendër të një flake, në vetvete e keni një heshtje. Është si meditim, dhe kjo më frymëzoi.

Më vonë, pasi u transferova në Lids, më pëlqente të endesha nëpër kodra dhe të këndoja, të ndjeja energji. I kam lexuar poetët metafizikë si John Donne dhe një ditë e shkrova “Poemën e zjarrit” (The Fire Poem). Pasi e formuam grupin The Crazy World of Arthur Brown, me organistin tonë, Vincent Crane, e ktheva poezinë në këngën “Fire” (Zjarri). Në fund ai përfundoi në një spital të shëndetit mendor, pas një përvoje të keqe me acid (drogë sintetike – v.j.), por më parë ishte simbol i shpikjeve të pafundme melodike. Unë thjesht i thosha atij: “Kjo që sapo luajte, kjo është ajo e duhura”!

Ishim djem kreativë të zhytur në surrealizëm, folklor, xhaz dhe pak klasikë. Bateristi Drachen Theaker e luante një ritëm afrikan dhe Vince e interpretonte atë si akord në organo. Në ndërtesën ku bënim prova, dy djem tjerë [Mike Finesilver dhe Peter Ker] po ushtronin po ashtu me këngëtaren indiane, Elli. E kishin një këngë që më pëlqeu shumë [Baby, You’re a Long Way Behind], kështu që e kemi përzier atë në “Fire” për rifin me trumbeta … “Da da daaaa” … Emrat e tyre janë të shënuar në autorësi.

Pete Townshend erdhi të na shihte në klubin “UFO”  [fanitet legjendar psikodelik] dhe na prezantoi me menaxherët e grupit Who, Kit Lambert dhe Chris Stamp. E bëmë një demo në studion e Petet, me atë duke luajtur në kitarë. Pastaj, Kiti dhe Chrisi na siguruan një kontratë me shtëpinë diskografike “Track Records”. Kit ishte producent. Ronnie Wood [nga Rolling Stones] thotë se ka luajtur në bas në “Fire”, por mendoj se po e ngatërron me versionin e John Peelit, në të cilin ka interpretuar.

E kam mbajtur një helmetë flakëruese, për ta kënduar, që u bë e njohur nëpër klube. Por, pasi kënga shkoi në vendin e parë pati shumë incidente. Flakët mund të shkonin në më shumë se një metër; shumë klube kanë mbetur me shenja të djegies në tavan. Në një koncert palltoja ime merr flakë dhe unë sillesha me një krah të djegur. Në atë kohë shëndeti dhe siguria nuk ishin punë e madhe. /Telegrafi/

SHARE