VUÇIQ: NJOHJA RECIPROKE MES SERBISË DHE KOSOVËS ËSHTË DËSHIRË E BE-së, JO E SERBISË

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës ishte dëshirë e Bashkimit Evropian (BE) por jo e Serbisë. Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq erdhi si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës. “Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, por ne nuk e duam. Dhe siç thashë – të gjithë kanë punën e tyre, ata kanë të tyren, ne kemi tonën,” tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një eventi të zhvilluar në Beograd. Vuçiq theksoi se nuk e konteston rëndësinë e dokumentit të miratuar nga Parlamenti Evropian, por shprehu besimin se “përbërja e re e parlamentit dhe qeveria e re në Serbi do të konfirmojnë gjithçka që ai ka deklaruar sot”. Vuçiq tha gjithashtu se korniza e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve, dhe jo njohjes.

SHARE