BE, MARRËVESHJE HISTORIKE PËR GAZIN / FIRMOS ME EGJIPTIN DHE IZRAELIN, RRITEN FURNIZIMET

Egjipti, Izraeli dhe Bashkimi Evropian nënshkruan një marrëveshje për të rritur shitjet e gazit natyror të lëngshëm në vendet e BE-së, të cilat synojnë të reduktojnë varësinë nga furnizimi me gaz nga Rusia ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e saj të katërt. Marrëveshja, e nënshkruar në një hotel me pesë yje në Kajro, nënkupton që Izraeli të dërgojë më shumë gaz përmes Egjiptit, i cili ka logjistikën për ta kthyer atë në gjendje të lëngshme dhe për ta eksportuar më pas përmes detit. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se memorandumi i mirëkuptimit për gazin (MoU) i nënshkruar në Kajro me Egjiptin dhe Izraelin është një “marrëveshje historike”. Ndër të tjera, Von der Leyen theksoi se “po ndërtojmë një infrastrukturë” e cila duhet të jetë e gatshme edhe për “transportin e energjisë së pastër të së nesërmes”, përkatësisht hidrogjenit. Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian importoi afërsisht 40 për qind të gazit nga Rusia, dhe për shkak të kësaj ka pasur vështirësi në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Sipas marrëveshjes, gazi izraelit do të sillet nëpërmjet një tubacioni në terminalin LNG të Egjiptit në Mesdhe përpara se të transportohet me cisterna në brigjet evropiane, tha Ministri i Energjisë së Izraelit. Izraeli ka dy fusha operative gazi në brigjet e tij mesdhetare që përmbajnë rreth 690 miliardë metra kub gaz natyror të kombinuar, dhe një platformë e tretë në det është në ndërtim e sipër. Tashmë Izraeli ka nënshkruar marrëveshje për eksportin e gazit me Egjiptin dhe Jordaninë fqinje.

SHARE