SHQIPËRIA SYNON QË LUMIN VJOSA TA BËJË PARK KOMBËTAR

Zyrtarët shqiptarë, të hënën, shpallën lumin Vjosa dhe degët e tij një park kombëtar të ardhshëm, veprim ky që synon të ruajë atë që ata e quajtën një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri nënshkroi një marrëveshje me organizatën mjedisore Patagonia me qendër në Kaliforni për të hartuar një “plan të integruar dhe të qëndrueshëm” për parkun e ri. “Kjo është një mundësi për të mbrojtur një nga lumenjtë e Evropës, me të vërtetë një nga lumenjtë më të çmuar të Evropës”, tha Ryan Gellert nga organizata Patagonia për Associated Press. Patagonia, së bashku me grupet e tjera mjedisore EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur, do të ndihmojnë në organizimin dhe financimin e një paneli ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendas, të cilët do të hartojnë kornizën për parkun dhe gjithashtu do të krijojnë “ndërgjegjësimin në mbarë botën për këtë bukuri natyrore”. Shpallja si park kombëtar do të pasurojë “brezat që do të trashëgojnë Vjosën në një mënyrë që është një rrugë e re e pashkelur në Europë”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ai tha se qeveria ka anuluar planet e saj të ndërtimit për tetë hidrocentrale në Vjosë dhe degët e saj që do të prodhonin energji elektrike për vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor. Ambientalistët thonë se digat do të kishin shkaktuar dëme serioze në lum.

SHARE