Pakësimi i rezerva ushqimore për shkak të bllokimit të eksporteve të drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore nga Ukraina dhe Rusia mund të bëjë që 11 milionë deri në 19 milionë njerëz të vuajnë nga uria kronike gjatë vitit të ardhshëm, tha agjencia për ushqim e Kombeve të Bashkuara. Pushtimi rus i Ukrainës ka rritur çmimet e drithërave, vajrave ushqimor, karburanteve dhe plehrave. Rusia dhe Ukraina janë eksportuese të mëdha të grurit, pasi këto dy shtete përbëjnë një të tretën e furnizimeve botërore me grurë. Rusia po ashtu është një prej eksportueseve më të mëdha të plehrave, ndërkaq Ukraina eksporton grurë dhe vaj luledielli. Ndikimi i luftës “mund të çojë që 11 deri në 19 milionë njerëz të preken nga uria, nga uria kronike më 2023”, tha më 10 qershor, Boubaker Ben Belhassen nga Organizata për Ushqim dhe Agrikulturë. Këto vlerësime bazohen në uljen e eksporteve të produkteve ushqimore nga Ukraina dhe Rusia. “Shtetet që po preken më së shumti janë në rajonin e Afrikës së Veriut dhe Jugut, duke pasur parasysh varësinë e tyre të madhe ndaj importeve, veçmas të grurit, por edhe të vajrave ushqimore”, tha ai. Ai shtoi se edhe shtete të tjera, përfshirë në Afrikë dhe Azi, sikurse Bangladeshi dhe Indonezia, po preken jashtëzakonisht nga bllokadat në eksportet ukrainase.