GJEKA ME AMBASADORIN E HUNGARISË: MBËSHTETJE E PLOTË PËR POLITIKAT INTEGRUESE TË MALIT TË ZI

Qeveria e Malit të Zi është fokusuar në zbatimin e një prej synimeve më të rëndësishme strategjike – anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe do të punojë pa u lodhur në këtë drejtim, tha ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka gjatë një takimi me ambasadorin hungarez në Mal të Zi, Jozef Negjeshi. Negjeshi e përgëzoi ministrin për mandatin e tij dhe ritheksoi gatishmërinë dhe mbështetjen e Hungarisë për politikat integruese të Malit të Zi. “Mbështetja e Hungarisë për Malin e Zi është e vazhdueshme, si gjatë anëtarësimit të Malit të Zi në aleancën e NATO-s, ashtu edhe në pjesën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori, duke shtuar se Malin e Zi e sheh si anëtarin e parë të ardhshëm të unionit dhe se kjo pritshmëri është mjaft realiste. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian hap mundësi të shumta për Ballkanin Perëndimor dhe Mali i Zi, duke qenë anëtar i NATO-s dhe si një vend i vogël territorialisht, mund të jetë i pari që do t’i realizojë këto mundësi, theksuan bashkëbiseduesit si dhe konkluduan se bashkëpunimi politik është faktor kyç në këtë proces.

SHARE