ITALIA, PAKETË 14 MILIARDË EUROSHE / NDIHMË PËR EKONOMITË FAMILJARE DHE SIPËRMARRJET

Për të zbutur inflacionin e lartë dhe rritjen e çmimit të energjisë, qeveria në Itali ka vendosur miratimin e një pakete ndihmash prej 14 miliardë eurosh. “Synimi është të sigurohet fuqia blerëse e familjeve të varfëra dhe prodhimi i sipërmarrjeve,” deklaroi kryeministri i Italisë, Mario Draghi pas vendimit të marrë nga kabineti. Kështu shteti do t’u japë 200 euro punëmarrësve, pensionistëve dhe atyre që punojnë të pavarur, të ardhurat e të cilëve janë më pak se 35 mijë euro në vit. Sipas Draghit, bëhet fjalë për 28 milionë persona në këtë kategori, nga gjithsej 60 milionë banorë të vendit. Përveç kësaj parashihen lehtësime taksash për sipërmarrjet që përdorin shumë energji. Më parë qeveria kishte bërë të ditur, se duke pasur parasysh rritjen e madhe të çmimeve në pikat e karburantit si pasojë e luftës në Ukrainë, do të ulë për drejtuesit e mjeteve çmimin e karburantit përmes reduktimit të taksave, me 30 cent për litër. Po ashtu do të reduktohet edhe çmimi i gazit të lëngshëm. Draghi tha, se masat e fundit u shtohen lehtësimeve të tjera të njoftuara më parë në nivelin e 15,5 miliardë eurove, që do të thotë se ato arrijnë tani në gjithsej 30 miliardë euro ose dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit.” Për shkak të pasojave të luftës mbi çmimin e energjisë, qeveria italiane deklaroi që në muajin mars se do të taksojë më shumë fitimet e arritura nga sipërmarrjet energjetike, në mënyrë që të lehtësojë familjet dhe firmat e tjera. Taksat mbi fitimet plus do të financojnë paketën e ndihmave të tanishme.

SHARE