Bashkimi Europian ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke përfshirë në të mbi 100 individë dhe organizata të akuzuara për mbështetjen e luftës kundër Ukrainës, përhapjen e propagandës dhe ndërmarrjen e sulmeve kibernetike.
Masat prekin agjencinë ruse të propagandës Social Design Agency, disa figura të njohura të medias ruse dhe grupin e hakerëve proruse NoName057(16), i cili akuzohet për sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe infrastrukturës kritike në Ukrainë dhe vendet e BE-së.
Në listën e sanksioneve është përfshirë edhe Tatjana Kim, sipërmarrësja më e pasur e Rusisë dhe pronare e platformës së tregtisë online Wildberries.
Sipas Këshillit të BE-së, platforma e saj ndihmon furnizimin e ushtrisë ruse me mallra ushtarake dhe produkte me përdorim të dyfishtë. Paketa përfshin gjithashtu afro 50 banka dhe institucione financiare ruse, si dhe kompani nga Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Sejshellet dhe Omani, të lidhura me transportin dhe tregtinë e naftës ruse përmes të ashtuquajturës flotë hije.
Sanksionet parashikojnë ngrirjen e aseteve, ndalimin e transaksioneve ekonomike dhe kufizime udhëtimi për individët e përfshirë. Përmes këtyre masave, BE-ja synon të vazhdojë presionin ekonomik dhe politik ndaj Moskës edhe në kushtet e negociatave të reja për paqe.
Brukseli po punon aktualisht për paketën e 22-të të sanksioneve, që pritet të marrë dritën jeshile para fundit të vitit.








