RUAJTJA E GJUHËVE TË PAKICAVE, PËRGJEGJËSI PUBLIKE DHE TREGUES I DEMOKRACISË

Ruajtja e gjuhëve rajonale dhe të pakicave është përgjegjësi publike dhe një tregues i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të një shoqërie, u theksua në konferencën për rigjallërimin e përdorimit të këtyre gjuhëve në jetën publike, e cila po mbahet në Strasburg.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, deklaroi se mbrojtja e gjuhëve nuk duhet të varet nga përpjekjet individuale, por duhet të garantohet në shkolla, gjykata, administrata komunale dhe në internet.

Ai theksoi se përdorimi i gjuhëve rajonale dhe të pakicave në jetën private dhe publike është një e drejtë themelore, e garantuar me Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave.

“Çdo gjuhë ka mënyrën e vet të të parit të botës dhe kur një gjuhë zhduket, të gjithë shohim pak më pak”, u shpreh Berset, duke shtuar se mbrojtja e pakicave kontribuon edhe në sigurinë e shtetit.

Konferenca është aktiviteti i parë i organizuar në kuadër të kryesimit të Malit të Zi me Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

SHARE