Fenomeni klimatik “El Niño” po intensifikohet dhe mund të bëhet një nga episodet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë, duke shkaktuar ndryshime të mëdha të temperaturave dhe reshjeve në mbarë botën.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), fenomeni pritet të forcohet deri në fillim të vitit 2027.
Një analizë e studiuesve të Climate Impact Lab në Universitetin e Çikagos vlerëson se temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë deri në 451 mijë vdekje shtesë nga qershori 2026 deri në shkurt 2027.
El Niño shkaktohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore të Oqeanit Paqësor tropikal dhe ndikon në modelet e motit në mbarë planetin.
Disa rajone mund të përballen me valë të të nxehtit dhe thatësira, ndërsa të tjera me reshje intensive dhe përmbytje.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rrezik më të madh nga zjarret dhe përhapja e sëmundjeve infektive.
Ata u bëjnë thirrje qeverive të përgatiten për të mbrojtur popullatat më të rrezikuara nga temperaturat ekstreme, mungesa e ujit dhe pasiguria ushqimore.





