KRYEMINISTRI RAMA VIZITË ZYRTARE NË AZERBAJXHAN

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po realizon një vizitë zyrtare në Azerbajxhan, me ftesë të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, me të cilin zhvilloi një takim në Baku. Sipas njoftimit nga Kryeministria e Shqipërisë, Rama dhe Aliyev dakorduan angazhimin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fusha me interes të ndërsjellë, ku theksohet se në mënyrë të veçantë, energjia dhe turizmi identifikohen si sektorët më potencialë ku janë vendosur tashmë piketat për konsolidimin e bashkëpunimit. Gjatë takimit, Rama ka theksuar se Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë plotësisht mbështetëse e Azerbajxhanit, e të vërtetës dhe të drejtës historike të Azerbajxhanit. Duke iu drejtuar presidentit Aliyev, Rama tha se “Ne përgëzojmë shumë përpjekjet tuaja të lëvdueshme dhe shembullore për paqe dhe bashkëpunim afatgjatë me fqinjin tuaj, Armeninë. Në të njëjtën kohë, ne jemi të dy të bekuar të kemi një gur shumë të fortë midis nesh, që është Turqia”.Aliyev tha se Azerbajxhani është bërë eksportues i gazit natyror drejt Evropës dhe sipas tij Shqipëria ka qenë mbështetëse e kësaj nisme. “Natyrisht jemi këtu për të zhvilluar takime dypalëshe, për të diskutuar gjithashtu dhe çështje të zhvillimit rajonal të cilat janë në krye të agjendës së Evropës e po kështu do të flasim dhe për çështje dypalëshe, ku do të shkëmbejmë informacion e do të flasim për rritjen e qarkullimit tonë tregtar, që është mjaft modest, por ka potencial për t’u rritur”, tha Aliyev. Kryeministri Rama do të takohet edhe me kryeministrin e Azerbajxhanit, Ali Asadov, dhe zyrtarë të tjerë të vendit.

SHARE