BE: MOSNORMALIZIMI I MARRËDHËNIEVE KOSOVË-SERBI PENGON INTEGRIMIN EVROPIAN

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të paralajmërojnë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, më 25 nëntor në Bruksel, se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të pengojë rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Sipas draft-deklaratës së parë nga Radio Evropa e Lirë, BE-ja do të kërkojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar se mbështetja financiare evropiane kushtëzohet me përparim konkret në këtë proces.

Në deklaratë pritet të dënohet gjithashtu glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik, si veprime në kundërshtim me vlerat evropiane.

Vendet e rajonit do të ftohen të respektojnë viktimat dhe vendimet e gjykatave për krime lufte.

Samiti do të trajtojë edhe bashkëpunimin rajonal, pajtimin, zgjidhjen e çështjeve të personave të zhdukur dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Në fokus do të jetë edhe procesi i zgjerimit, ndërsa Mali i Zi pritet të jetë në prag të përfundimit të negociatave për anëtarësim, me synimin për nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit në qershor të vitit 2027.

Udhëheqësit evropianë pritet të riafirmojnë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe se zgjerimi mbetet një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

SHARE