Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar politikën e Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit, duke deklaruar se vendi po përballet me pengesa që nuk lidhen gjithmonë me përmbushjen e kritereve, por edhe me mosmarrëveshjet dhe konfliktet mes shteteve anëtare të BE-së.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dytë të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, Rama theksoi se mbështet plotësisht procesin e anëtarësimit të bazuar në meritë, duke e cilësuar atë si një mundësi të rëndësishme për transformimin e Shqipërisë dhe forcimin e institucioneve të saj.
Ai vlerësoi Planin e Rritjes si një instrument që ndihmon vendet kandidate të përshpejtojnë reformat dhe të zvogëlojnë hendekun me vendet e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, Rama u shpreh se, ndonëse Komisioni Evropian ka të drejtë të kërkojë përmbushjen e kritereve, politika e BE-së shpesh i zhgënjen vendet kandidate, pasi procesi pengohet nga konfliktet e brendshme mes shteteve anëtare.
“Komisioni ka të drejtë të na torturojë, por politika e BE-së shpesh na zhgënjen, sepse na rrëzon për shkak të konflikteve të shteteve anëtare”, deklaroi Rama.
Kryeministri shqiptar theksoi se anëtarësimi pa përmbushjen e kritereve nuk do të ishte zgjidhje, duke e krahasuar këtë me marrjen e patentës pa ditur të drejtosh makinën.
Në fund, Rama bëri thirrje që Komisioni Evropian, Këshilli dhe shtetet anëtare të gjejnë një qasje të përbashkët për procesin e zgjerimit.
Ai përdori edhe një krahasim simbolik me familjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke thënë se nëse vendet kandidate lihen për një kohë të gjatë jashtë BE-së, ekziston rreziku që ato të afrohen me ndikime të tjera gjeopolitike, si Rusia dhe Kina.
Sipas Ramës, Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe, ndryshe nga vendet e tjera, vazhdon të tregojë një lidhje të veçantë me Bashkimin Evropian.









