Me qëllim forcimin e kapaciteteve të Institutit të Shëndetit Publik, për t’iu përgjigjur funksionalisht kërkesave të shëndetit publik për të gjitha epidemitë e ardhshme të sëmundjeve infektive në vend, Ministria e Shëndetësisë mori mbështetje të plotë nga Delegacioni i BE-së dhe Zyra e OBSH-së në Mal të Zi për ndërtimin dhe pajisjen e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve me Qendrën Operacionale për Situatat e Krizave të Shëndetit Publik – EOC (Qendra Operacionale Emergjente). Ndërtimi dhe pajisja e qendrës financohet plotësisht nga Bashkimi Evropian në vlerën mbi dy milionë euro, si dhe zhvillimi i një sistemi informacioni në fushën e mbledhjes dhe menaxhimit të të dhënave në situata krize. Kështu ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq Bojoviq, në një takim të mbajtur dje në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo sqaroi gjithashtu se ndërtimi i Qendrës Operacionale për Situatat e Krizave të Shëndetit Publik është një segment i rëndësishëm i sistemit për reagim në kohë në situata të ndryshme krize në vend, ku është i nevojshëm angazhimi urgjent i ekipeve të specializuara për ofrimin e kujdesit mjekësor.