BANKA BOTËRORE ULË PARASHIKIMIN E RRITJES SË EKONOMISË MALAZEZE NË 3.6%

Banka Botërore (BB) ka ulur parashikimin e saj të ri të rritjes për ekonominë e Malit të Zi këtë vit në 3.6 përqind. Në Raportin e ri ekonomik për rajonin, i cili u inspektua nga agjencia Mina-biznes, Banka Botërore e uli parashikimin e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto të Malit të Zi (PBB) për këtë vit me 2%, krahasuar me 5.6% në janar. Banka Botërore parashikon një rritje të PBB-së prej 4.7 për qind për vitin e ardhshëm, që është 0.1 për qind më pak se parashikimi i janarit. PBB-ja u rrit me 12.4 për qind vitin e kaluar. “Rimëkëmbja ekonomike e Malit të Zi vitin e kaluar ishte e fuqishme dhe e mbështetur nga ringjallja e turizmit. Ndaj rimëkëmbjes ekonomike ka reaguar edhe tregu i punës dhe pozicioni fiskal është përmirësuar ndjeshëm”, theksuan nga Banka Botërore. Në raport thuhet se Mali i Zi ka miratuar një program të rëndësishëm reformash Evropa Tani, i cili sjell shumë mundësi, por edhe rreziqe të konsiderueshme fiskale. “Shpërthimi i luftës në Ukrainë përkeqëson perspektivat përndryshe pozitive. Së bashku me rrezikun në rritje të inflacionit, kjo do të ndikojë në standardin e jetesës dhe varfërinë”, tha Banka Botërore.

SHARE