RREZIKU NGA INFLUENCA RUSE NË BALLKAN

Situata gjeopolitike dhe tensionet për një influencë ruse në Ballkanin Perëndimor po favorizojnë Shqipërinë në sytë e shteteve të Bashkimit Europian. Procesi i intergimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ndër vite është përballur me sfida të mëdha, duke filluar nga përmbushja e kritereve pranuese e deri tek vetoja bullgare. Burime për median e huaj ‘Euroactiv’, thonë se pas kërkesës së Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin dritën jeshile të integrimit në qershor. Gjatë po të njëjtit muaj, pritet që të jepet edhe një opinion lidhur me pranimin e Ukrainës dhe mundësinë që procesi i intergrimit të përshpejtohet. Tentativat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në bllokun europian, kanë qenë ngushtësisht të lidhura me Maqedoninë e Veriut. Referuar deklaratave të liderëve europian, të dyja shtetet tashmë i kanë përmbushur kriteret e pranimit në letër. Por, çështjet historike të mbetura pezull i kushtuan jo pak Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, pas vendosjes së vetos nga ana e Bullgarisë. Në këtë kontekst nuk dihet nëse do të ketë një shkëputje në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Qëndrimi bllokues i Bullgarisë solli kërkesën e kryeministrit Rama, për ndarje nga Maqedonia e Veriut. Por, kërcënimi për një destabilitet rajonal, në rast të shkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut e ka lënë kërkesën e Ramës ende pa një përgjigje zyrtare nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian.

SHARE