MALI I ZI NJË ALEAT SHUMË I RESPEKTUAR I NATO-s

Mali i Zi është një aleat shumë i vlerësuar i NATO-s dhe kontribuon në sigurinë kolektive në një sërë mënyrash, tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg. Kur u pyet nga TVMZ për të komentuar mbi pretendimet se u tha jozyrtarisht gjatë Samitit të NATO-s në qershor se Aleanca nuk duhet të ndajë të gjithë informacionin me Qeverinë e re të Malit të Zi, për shkak të ndikimit që Serbia dhe Rusia kanë mbi të, Stoltenberg tha se Aleanca ka protokolle shumë të rrepta të shkëmbimit të informacionit të sigurisë. “NATO ka protokolle shumë të rrepta sigurie për shkëmbimin e informacionit. Nuk mund të flas në detaje për protokollet, por mund t’ju siguroj se ne jemi në gjendje të ndajmë informacionin në mënyrë të sigurt,” tha Stoltenberg. Sekretari i Përgjithshëm theksoi se Mali i Zi u bashkua me NATO-n jo shumë kohë më parë dhe Mali i Zi është një aleat shumë i respektuar. “Mali i Zi kontribuon në sigurinë tonë të përbashkët në mënyra të shumta, dhe unë vlerësoj praninë e Ministres të Mbrojtjes të Malit të Zi në takimin e Ministrave të Mbrojtjes dje dhe sot në Bruksel,” përfundoi Stoltenberg.

SHARE